Sébastien Lecornu ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Francës, dorëheqje e cila është pranuar nga presidenti Emmanuel Macron, sipas njoftimit të Pallatit Élysée.
I emëruar më 9 shtator, Lecornu është përballur që në fillim me kritika të forta nga opozita dhe forcat e djathta, sidomos pas publikimit të pjesshëm të përbërjes së kabinetit të tij vetëm disa ditë më parë. Ai pritej të paraqiste të martën deklaratën e tij të përgjithshme politike në Kuvend, por zgjodhi të largohej përpara këtij momenti vendimtar.
Sipas Le Figaro, Lecornu ka qëndruar në detyrë vetëm 27 ditë, duke u bërë kështu kryeministri me mandatin më të shkurtër në historinë e Francës. Dorëheqja e tij pritet të hapë një periudhë të re pasigurie dhe tensioni politik në Paris, ndërsa presidenti Macron përgatitet të emërojë pasardhësin e ri në një moment delikat për qeverinë franceze.