Iu shemb me tritol ndërtesa në Theth, reagon pronari: Më rrethuan shtëpinë sikur të kisha vrarë 30 veta, dëmi është mbi 300 mijë euro

Dhjetëra forca policie bashkë me inspektorët e IKMT, IMT të bashkisë, forcat xhenio dhe fadroma mbërritën që në orët e para të mëngjesit në fshatin turistik të Thethit, duke vijuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Fillimisht ndërhyrja ka nisur tek një objekt trekatësh.

Kjo godinë është vendosur që të shembet me eksploziv për shkak të lartësisë dhe pamundësisë për ta shembur përmes fadromave.

Dedë Kola, pronari i saj, u shpreh për mediat: “Erdhën që në 5 të mëngjesit, më kishin rrethuar shtëpinë. Më thanë të largohesha. Edhe sikur të kisha vrarë 30 veta, nuk do më kishin rrethuar ashtu shtëpinë. Ishin të paktën 16 makina policie”.

“Nuk e kuptoj. Pse më shembin vendin që e kam trashëgim nga gjyshi, nuk kam konflikt pronësie me asnjë person. Po të kisha konflikt pronësie, do e kuptoja. Unë e kam ndërtuar shtëpinë në vitin 2023, sivjet vura çatinë. Mos të më linin ta ndërtoja. Dëmi këtu është mbi 300 mijë euro. Shteti duhet të më njohë pronën që më takon”, shtoi më tej Dedë Kola.

Të Fundit