Një 14-vjeçare është hedhur këtë të shtunë nga kati i tretë i një pallati në Korçë.
– Advertisement –
E mitura është transportuar menjëherë me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Korçës, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në një deklaratë jashtë kamerave për mediat, nëna e vajzës ka treguar se vajzën e saj e kanë bullizuar. Po ashtu ajo tregon se një vajzë e ka goditur 14-vjeçaren dhe po ashtu dhe vetë gruan kur i ka kërkuar sqarime se pse ja ka goditur vajzën. Ajo tregon se kur ka vajtur në polici, vajza e saj e mitur është hedhur nga kati i tretë i pallatit.
“Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Erdha në shtëpi nga Barmashi i Kolonjës, në lagjen 14 në Korçë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh, një vajzë e ka goditur në kurriz çupën time. I thashë asaj që më goditi, mos të më bezdisin vajzat. Sot prapë i vajti çupës time ta godiste. Më goditi edhe mua në stomak dhe më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin ‘mamin ta morën në polici, jeni fshatarë’. Merrni masa se nuk më lenë rehat”, tha nëna e të miturës.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Policia e Korçës, e cila njofton se të shtunën rreth orës 15:20, në lagjen nr. 14, dyshohet se një shtetase e mitur, rreth 14 vjeçe, është vetëhedhur nga kati i tretë i pallatit ku banonte. Ajo aktualisht po merr mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.