Ka përfunduar ekspertiza mjeko-ligjore për trupin e shtetasit Gj. T., 65 vjeç, i cili u gjet i pajetë pasditen e djeshme në afërsi të lumit Mat, në territorin e fshatit Pllanë, Njësia Administrative Zejmen, Bashkia Lezhë.
Sipas ekspertizës, në trupin e të ndjerit nuk janë
konstatuar plagë të shkaktuara nga armë zjarri apo mjete prerëse, duke përjashtuar kështu një ngjarje të dhunshme kriminale.
Nga hetimet e para, rezulton se shtetasi Gjergj Tusha kishte qenë duke kullotur bagëtitë në momentin kur ndodhi ngjarja. Dyshohet se ai mund të jetë goditur nga ndonjë kafshë (dem), çka ka sjellë më pas vdekjen e tij. Kjo pistë po verifikohet nga grupi hetimor.
Grupi i posaçëm ka kryer një sërë veprimesh procedurale, përfshirë këqyrjen e vendngjarjes, të kufomës, analizimin e pamjeve filmike, marrjen e dëshmive si dhe ekspertizat përkatëse.
Bazuar në tërësinë e të dhënave të deritanishme, ngjarja po hetohet si aksidentale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për hetime të mëtejshme.