Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Fierit, pasi u kapën duke qarkulluar të armatosur me një automjet tip “Audi” dhe tentuan t’i shmangeshin kontrollit të uniformave blu.
Operacioni u zhvillua pasditen e djeshme në lagjen “Apollonia”, ku, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” ndaluan automjetin e dyshimtë.
Në momentin e ndërhyrjes, drejtuesi i mjetit dhe pasagjerja tentuan të largoheshin, por u neutralizuan menjëherë nga forcat e rendit. Gjatë kontrollit, në çantën marsup të drejtuesit u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi armën, automjetin si dhe dy aparate celularë.
Në vijim të veprimeve hetimore, në pranga u vunë shtetasi G. N. alias G. S., 40 vjeç, banues në fshatin Sulaj, si dhe shtetasja A. P., 31 vjeçe, banuese në fshatin Portëz. Ata akuzohen për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, ndërsa për shtetasen A. P. rëndon dhe akuza për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.




