Prokuroria e Posaçme ka paraqitur konkluzionet përfundimtare në gjykimin ndaj Ilir Nishanit, Genci Hickës dhe Gerson Tafës, ish-inspektorë të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit, të cilët akuzohen për marrje ryshfeti.
Prokurori Behar Dibra ka kërkuar për secilin prej tyre një dënim me 2 vite burg, i cili të konvertohet në shërbim prove për një periudhë 3-vjeçare. Po ashtu, kërkohet heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat prej 3 vitesh.
Sipas hetimeve të SPAK, ngjarja daton në vitin 2020, kur tre zyrtarët dyshohet se kanë marrë 30 mijë lekë ryshfet nga dy mjekë, Konstandin Balloma dhe Besim Boçi, për të mos i gjobitur për trajtimin e mbetjeve spitalore.
Procedimi penal ndaj dy mjekëve për korrupsion aktiv është pushuar nga SPAK për shkak të përfshirjes së tyre në amnistinë penale, ndonëse çështja nisi pas kallëzimit të tyre.