Rritja ekonomike e Shqipërisë ka arritur në 3.51% për 3-mujorin e dytë të 2025-s, më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat u ndanë nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila në një konferencë për shtyp prezantoi pasqyrën më të fundit mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe drejtimet e reja të politikave ekonomike.
Konsumi i familjeve u rrit me 3.88%, ndërsa ai i administratës publike me 12.44%, i mbështetur nga rritja e pagave dhe investimet në burime njerëzore.
“Rritja ekonomike 3.51% është më e lartë se mesatarja e BE që ishte 1.5%, por edhe në raport me vendet e Ballkanit perëndimor që ishte në 2.2%. Konsumi i familjeve u rrit me 3.88% në tremujorin e dytë të vitit. Konsumi i administratës publike u rrit me 12.44% i mbështetur nga rritja e pagave dhe rritjet e investimeve në burime njerëzore”, tha Ibrahimaj.
Investimet e huaja direkte arritën në 759 milionë euro, me Italinë dhe Holandën si vendet me fluksin më të madh.
“Investimet e huaja direkte arritën në 759 milionë euro, duke u rritur me 8 mln euro në krahasim me vitin e kaluar. Italia dhe Holanda kanë fluksin më të madh të investimeve. Sektorët kryesorë të investimeve janë pasurive të paluajtshme, aktivitetet financiare dhe industria nxjerrëse. 50% e fitimeve të investimeve të huaja, ri-investohen në vend”, theksoi Ibrahimaj.
Në fokus do të jetë bujqësia, e cila ka shënuar rritje, ndryshe nga peshkimi dhe blegtoria që janë në rënie.
“Bujqësia është rritur, por peshkimi dhe blegtoria janë në rënie në këtë tremujor. Ndaj bujqësia do të jetë në vëmendje të këtij katërvjeçari”, u shpreh ministrja.
Ndërsa industria ka pësuar një ulje prej 1.79%, sektori i ndërtimit ka pasur kërkesë të lartë dhe pritet të vazhdojë në rritje.
“Industria është në rënie me 1.79%, e ndikuar kryesisht nga industria nxjerrëse. Sektori i ndërtimit ka pasur kërkesë të lartë. Sektori i ndërtimit edhe në katërvjeçarin e ardhshëm do të vijojë të jetë në rritje”, theksoi ministrja.
Vetëm në periudhën janar-gusht janë hapur mbi 21 mijë biznese të reja, ndërsa qarkullimi i bizneseve është rritur me 4%. Ibrahimaj theksoi gjithashtu se paga minimale tashmë është rritur në 50 mijë lekë, ndërsa për 18 muajt e parë tatimet dhe sigurimet do të mbulohen nga qeveria.