Tregu i punës në Shqipëri po përballet me një fenomen që po shfaqet gjithnjë e më shumë: punësimi i të huajve për të mbushur boshllëqet që nuk mund t’i plotësojnë punonjësit vendas. Ky trend është i dukshëm në sektorët me nevoja më të mëdha për fuqi punëtore, si industria përpunuese dhe prodhuese, ndërtimi, turizmi, por edhe bare dhe restorante.
Në një lidhje direkte për Klan News, eksperti për punësimin shpjegoi situatën e tregut të punës dhe arsyet pse punonjësit vendas nuk mund të mbulojnë të gjitha pozicionet:
“Sektorët me nevoja më të mëdha sigurisht që janë sektorët e industrisë përpunuese dhe prodhuese. Sektori i ndërtimit, turizmit, por edhe ai i bareve dhe restoranteve. Deri para pak kohësh ishte dhe industria e fasoneve që kërkonte shumë punonjës, por me zhvlerësimin e euros kanë reduktuar njëkohësisht edhe kërkesat e shtuara për të pasur punonjës,” tha Muça.
Ai shtoi se tregu vendas ka pasur historikisht një mospërputhje midis kërkesës dhe ofertës për punë, duke e bërë të vështirë mbulimin e pozicioneve bazike dhe teknike.
“Çfarë praktikisht e ka lënë tregun vendas të punës të zbrazur për punonjës të thjeshtë, të cilët ose nuk preferojnë të bëjnë punë që janë dhe trajtohen me pagë minimale, ose kërkojnë mundësi për të lëvizur nga një punë në një tjetër, nga një kompani në një tjetër dhe nga një industri në një tjetër, apo duke lëvizur nga Shqipëria në vendet e rajonit, apo nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së. Ne kemi në vend 70% të kërkesave për punonjës që bëjnë punë të thjeshta që nuk arrijnë dot të mbulohen dhe të plotësohen nga punonjësit vendas. Kjo do të thotë punë krahu, punë teknike, punë që nuk kërkojnë arsim, por që mësohen gjatë ditëve të para të punës bazuar në një proces të caktuar që ti vijon dhe përfeksionohet duke të mësuar puna vet, pa një diplomë paraprake profesionale.”
Edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restauranteve, Enri Jahaj, shpjegoi se punonjësit vendas po largohen për shkak të kushteve të punës dhe standardeve më të larta të jetesës.
“Shefat që ne kemi po emigrojnë jashtë, jo vetëm për shkak të pagave sepse pagat kanë arritur nivelin e rajonit, por edhe për shkak të kushteve të mira të punës. Tani personeli nuk kërkon thjesht nivel pagash, nuk është më emigrimi për paga më të larta, por është për kushte më të mira pune, për një jetë më cilësore. Këta që vijnë nga vende të tjera, vijnë me nivel pagash shumë të mirë. Duhet thënë edhe kjo që pagat e punonjësve, kamarierëve nëse janë shqiptarë nuk deklarohen në masën e duhur, por nëse është i huaj je i detyruar ta deklarosh në masën e duhur.”
Ekspertët theksojnë se ky fenomen tregon një ndryshim të rëndësishëm në tregun e punës shqiptare. Ndërsa punonjësit vendas shpesh nuk janë të gatshëm të marrin pozicione bazike apo teknike për shkak të pagave të ulëta, të huajt plotësojnë boshllëqet duke sjellë ekspertizë dhe përvojë, dhe në shumë raste, nivel më të lartë pagash dhe standarde të mira pune.