Misteri i vrasjes së biznesmenit italian, familjarët thyejnë heshtjen: Kishte konflikt me dy fëmijët e ortakut…

Vazhdon ende të mbetet mister vdekja i biznesmenit italian, Edoardo Sarchi. 44-vjeçari i cili mbeti i vrarë nga një person ende i paidentifikuar, mëngjesin e së shtunës në zonën e Salarisë, në Tepelenë.

Teksa rrethanat e vdekjes së tij mbeten ende të paqarta, familjarët e të ndjerit kanë thyer heshtjen. Kushëriri i biznesmenit italian, Riccardo Barbier, i cili është pronari i një hoteli në zonë e Varesës ka dhënë  detaje për La Repubblica. Ai thotë se janë duke u informuar nga mediat lokale dhe shtypi shqiptar, teksa shton se nuk po jepet asnjë informacion i sigurt lidhur me shkakun e vdekjes së Edoardo Sarchi.

Sipas tij, 44-vjeçari ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë dhe ishte një person i qetë.

“Lajmet që marrim janë vetëm ato të publikuara nga gazetat lokale. Në televizion nuk ka asnjë informacion të qartë për ngjarjen. Nesër (sot) do të bëhen funeralet. Është një dhimbje e madhe, Edoardo ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Ishte një njeri i mirë, i sinqertë dhe i ndjeshëm.”

Më tej Riccardo Barbier, shigjeton ortakun e të ndjerit si të implikuar në krim.

“Mendojmë se ka ndodhur diçka me dy fëmijë e ortakut të tij në biznes, ndoshta një grindje. Por vetëm hetimet mund ta sqarojnë të vërtetën. Nuk kuptojmë pse Edoardo u vra. Presim të mësojmë motivet e këtij krimi të rëndë. Si mund t’ia bënin këtë kushëririt tim?”

Më tej ai shton se me 44-vjeçarin nuk takoheshin shpesh, takimi i tyre i fundit ka qenë para 3 vjetësh,. Ndërkohë shton se e gjithë familja e Edoardo Sarchi ndodhetnë Shqipëri duke pritur të zbardhet e vërteta.

 “Atje është gruaja e tij. Do të doja të shkoja në funeral, por nuk arrita ta organizoja. As motra e tij nuk arriti të mbërrijë në kohë. Janë aty edhe kushërinjtë me të cilët filloi punën para 20 vitesh. Xhaxhai Augusto Nidoli themeloi kompaninë Edilcentro para 30 vitesh, ndërsa tani në krye është djali i tij, Antonio. Shpresojmë që autoritetet shqiptare të zbardhin çdo detaj të kësaj ngjarjeje.”

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Salari të shtunën, 27 shtator, ndërsa rreth orës 00:30, në vendin e quajtur “Dilan”, është gjetur trupi i pajetë i biznesmenit italian Edoardo Sarchi.

Sipas shenjave në vendin e ngjarjes, mendohet se trupi i viktimës është zvarritur dhe nxjerrë në anën tjetër të rrugës.

Lidhja e Sarchit me Shqipërinë është e hershme. Xhaxhai i tij, Augusto Nidoli, themeloi kompaninë Edilcentro që sot drejtohet nga kushëriri Antonio, ndërsa kompania “Tegola” bën pjesë në të njëjtën grup sipërmarrjesh të ngritura 30 vjet më parë. Babai i Edoardos, Vittorio, i ndarë nga jeta në vitin 2022 në moshën 81-vjeçare, ishte një figurë e njohur politike në Varese, duke shërbyer edhe si këshilltar për Sigurinë në komunën e Luinos.

 

Të Fundit