Rasti i Erjon Sinanit, një banor nga Tirana, ka rikthyer në qendër të vëmendjes një çështje të ndjeshme, kujdestarinë e fëmijëve pas një tragjedie familjare. Në prill të vitit 2023, Erjoni humbi brenda një nate dy nga personat më të dashur, bashkëshorten dhe vëllain, duke e lënë të vetëm me dy fëmijë të mitur, atëherë vetëm 2 dhe 4 vjeç.Pas humbjes së bashkëshortes, Erjoni, i gjendur në mes të dhimbjes dhe pasigurive, vendosi që përkohësisht t’i çonte fëmijët te prindërit e bashkëshortes, për të kaluar momentet e para të vështira. Por, kur kërkoi t’i merrte fëmijët mbrapsht, për t’i rritur vetë, u përball me kundërshtimin e gjyshërve dhe dajës së fëmijëve. Çështja shkoi në gjykatë dhe kjo e fundit vendosi, që fëmijët t’i jepeshin në kujdestari gjyshërve dhe dajës. Vendimi u bazua ndër të tjera në një raport psikologjik të hartuar nga psikologia Ines Haxhimali, e cila argumentoi, se fëmijët janë më të stabilizuar në ambientin aktual dhe se, nëse babai dëshiron t’i marrë, duhet të ndryshojë banesën, për të shmangur traumat, që lidhen me vendin e tragjedisë. Sipas psikologes Gejsi Anamali, në këtë rast po luhet me cështjen e banesës për një traumë, që fëmijët nuk kanë patur mundësi ta memorizojnë, për shkak të moshës së vogël.
