Deputetja demokrate, Albana Vokshi ka reaguar pas lajmit se anonimi Nesti Angoni ka depozituar në SPAK një kallëzim ndaj saj.
Në një reagim në rrjetet sociale, Vokshi shkruan se nuk do t’ia mbyllin gojën me shpifje e letra anonime.
“Nëse mendojnë se do të më mbyllin gojën me shpifje e letra anonime, gabohen! Nëse mendojnë se do të më trembin me SPAK-un, gabohen!
Unë nuk hesht. Unë nuk dorëzohem. Do të flas edhe më fort! Kundër korrupsionit. Kundër padrejtësive. Kundër abuzimit me pushtetin.
Ata, që këtë herë nuk guxuan as të dalin hapur, duhet ta mësojmë: Sa më shumë të më sulmojnë, aq më fort do të më dëgjojnë! As paraja, as Rama nuk i shpëton dot nga e vërteta”, shkruan Vokshi.
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, është denoncuar në Prokurorinë e Posaçme në ditët e para të shtatorit, për korrupsion dhe pastrimin e parave të fituara nga kjo veprimtari e jashtëligjshme, nga anonimi “Nesti Angoni”, i cili është edhe denoncuesi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.