Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lënë sot, më 19 shtator, në arrest shtëpie shefin e regjimit të Brendshëm në IEVP Lushnjë, Irakli Leka, të arrestuar dy ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK nën akuzën për “korrupsion pasiv”, pas denoncimit në emisionin STOP në Tv Klan.
Rasti u shfaq nga “Stop” me kamera të fshehtë më 16 shtator, pas denoncimeve të shumta që kishin ardhur në adresë të Lekës për marrje ryshfeti në këmbim të dhënies së lejeve. Në emision u transmetua një regjistrim me kamera të fshehtë për pazaret që bëhen nëpër burgje duke u shitur disa ditë leje të burgosurve me shuma të majme.
“Stop” inskenoi një rast në burgun e Fushë-Kosovës në Lushnje, ku kërkoi takim me shef Matin. Ky i fundit la menjëherë një takim në një lokal, mori 700 euro dhe premtoi 5-7 ditë leje për personin në fjalë. “Stop” dorëzoi paratë dhe e ndoqi çështjen deri në momentin e shumëpritur kur i burgosuri, doli për disa ditë nga qelia.
Menjëherë pas transmetimit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, nën drejtimin e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, arrestoi shtetasin Irakli Leka, me detyrë Shef i Regjimit të Brendshëm në IEVP Lushnjë, ndërsa u pezullua nga detyra drejtori i këtij burgu Elvin Kurti, deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe zëvendësi i tij.