Ka nisur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca e parë në themel ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në kuadër të hetimeve për procedurën e koncesionit të sterilizimit.
Beqaj do të përballet me një proces gjykimi të zakonshëm për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Gjatë nisjes së seancës, ish-ministri Beqaj ka kundërshtuar legjitimitetin e trupës gjykuese, duke deklaruar:
“Për mua çdo lloj trupe gjyqësore në këtë seancë është e paligjshme. Nuk e kam me ju personalisht.”
Në seancë, Beqaj u përball me trupën e përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Irena Gjoka dhe Erjon Çela.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin se nuk është njoftuar për akuzën e re ndaj tij, duke theksuar:
“Akuza e re ndaj meje nuk më është komunikuar kurrë. Është një situatë paligjshmërie, pasi nuk kam asnjë njoftim nga Prokuroria për akuzën e vjedhjes. Jam njoftuar vetëm për shpërdorim detyre.”