“Brigitte është grua”, Macron do ta vërtetojë me prova shkencore në gjykatë

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, planifikojnë të dorëzojnë prova fotografike dhe shkencore në një gjykatë në SHBA për të dëshmuar se zonja Macron është grua, ka bërë të ditur avokati i tyre.

Çifti presidencial ka paditur për shpifje influencuesen e krahut të djathtë, Candace Owens, e cila ka promovuar pretendimin se Brigitte Macron ka lindur mashkull. Ekipi ligjor i Owens ka paraqitur një kërkesë për hedhjen poshtë të padisë.

Avokati i familjes Macron, Tom Clare, tha për BBC se zonja Macron e ka përjetuar këtë pretendim si “jashtëzakonisht shqetësues” dhe se sulmet ndaj familjes janë bërë një shpërqendrim i panevojshëm për presidentin francez. Ai shtoi se do të ketë “dëshmi shkencore nga ekspertë”, duke theksuar se Brigitte është e vendosur të bëjë gjithçka për të hedhur poshtë këto akuza.

“Është e dhimbshme të mendosh se duhet t’i nënshtrohesh një procesi të tillë publikisht, por ajo është e gatshme ta bëjë për të vendosur rekordin në vend”, tha Clare.

Ai konfirmoi gjithashtu se do të paraqiten fotografi që tregojnë Brigitte Macron shtatzënë dhe duke rritur fëmijët e saj.

Owens, e cila ka miliona ndjekës në rrjetet sociale, ka përsëritur shpesh pretendimin se zonja Macron është mashkull. Ajo madje ka deklaruar se do ta vinte “në lojë gjithë reputacionin e saj profesional” mbi këtë akuzë. Teoria ka qarkulluar prej vitesh në hapësira të margjinalizuara online dhe u bë virale pas një videoje të vitit 2021 nga dy blogere franceze, Amandine Roy dhe Natacha Rey.

Fillimisht, familja Macron fitoi një proces për shpifje kundër Roy dhe Rey në Francë në vitin 2024, por vendimi u rrëzua në apel në vitin 2025 mbi bazën e lirisë së shprehjes. Çifti presidencial ka apeluar vendimin.

Në korrik, ata ngritën padi kundër Owens edhe në SHBA, duke e akuzuar për shpërfillje të provave të besueshme dhe për promovimin e teorive konspirative. Në raste të tilla, ligji amerikan kërkon që paditësit të provojnë se ka pasur “keqdashje të qëllimshme”.

Macron e ka shpjeguar vendimin e tij për të ndërmarrë veprime ligjore.

“Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e nderit tim. Këto janë marrëzi. Është dikush që ka ditur se po përhapte informacione të rreme, me qëllim dëmtimi, në shërbim të një ideologjie të lidhur me figura të së djathtës ekstreme”, tha ai.

Ndërkohë, avokatët e Owens pretendojnë se çështja nuk duhet të zhvillohet në Delaware dhe kanë kërkuar hedhjen poshtë të saj, duke argumentuar se do të ishte barrë financiare dhe operative e padrejtë.

Owens më herët ka deklaruar se ajo beson në atë që thotë dhe se “nuk ka gjë më amerikane sesa liria e shprehjes dhe e drejta për të kritikuar”.

Të Fundit