Tensionet diplomatike mes Izraelit dhe Spanjës janë thelluar pas deklaratave të ashpra të ministrit të Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, i cili e quajti kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez dhe qeverinë e tij “një turp për vendin”. Reagimi erdhi pas protestave masive pro-palestineze të zhvilluara në Madrid të dielën, të cilat çuan në anulimin e një etape të garës çiklistike Vuelta.
“Disa ditë më parë, kryeministri spanjoll shprehu keqardhje që nuk kishte një bombë atomike për të ndaluar Izraelin. Sot, ai u bëri thirrje protestuesve të dilnin në rrugë. Një turmë pro-palestineze, me slogane nxitëse, ndërpreu garën çikliste Vuelta. Si rezultat, një ngjarje sportive që ka qenë gjithmonë një burim krenarie për Spanjën është anuluar. Pedro Sanchez dhe qeveria e tij janë një turp për Spanjën,” shkroi Sa’ar në platformën X.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar ndjeshëm që nga viti 2023, kur Madridi u rreshtua mes kritikëve më të fortë të operacioneve ushtarake izraelite në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Spanja njohu zyrtarisht shtetin palestinez vitin e kaluar dhe këtë javë vendosi masa të reja ndëshkuese ndaj Izraelit, përfshirë një embargo të përhershme armësh.
Si kundërpërgjigje, Sa’ar akuzoi qeverinë spanjolle për “vijë armiqësore anti-izraelite” dhe e cilësoi atë si “kundër hebrenjve”, duke pretenduar se përdor çështjen e konfliktit për të shpërqendruar opinionin publik nga “skandalet e korrupsionit”. Ai njoftoi gjithashtu se dy anëtarë të kabinetit të Sanchez nuk do të lejohen të hyjnë në Izrael, duke i akuzuar për “mbështetje të dyshuar për terrorizëm dhe dhunë kundër izraelitëve”.