Shqiptarët protestojnë për drejtësi në Hagë: Lironi heronjtë e UÇK-së

Në Hagë të Holandës të dielën shqiptarë nga diaspora, por edhe nga Kosova, po protestojnë duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta e 14 shtatorit u thirr nga mërgata shqiptare dhe është mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), për siç thanë organizatorët, padrejtësitë që po bëhen në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta në kryeqytetin holandez po mbahet në një park që gjendet afër selisë së Dhomave të Specializuara.

Folës në protestë janë kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, Fatmir Koci, bashkëorganizator i protestës dhe ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch.

Protesta në Hagë mbahet pasi më 7 gusht, mijëra persona protestuan në Prishtinë kundër Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë – që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në Speciale rasti kryesor po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Protesta në Hagë vjen një ditë para se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të nisë paraqitjen e provave të saj dhe dëshmitarëve.

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do të nisë dëshminë e tij para Speciales më 15 shtator, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre, nisur nga 15 shtatori, është konfidenciale.

Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra – në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.

Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

Mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se 11 dëshmitarët që mëton të thërrasë të japin dëshminë e tyre në seanca të hapura. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit ka thënë se dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.

Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Ky panel po ashtu pret që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të jetë e përgatitur që të paraqesë shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.

Të Fundit