6 persona u arrestuan dhe 2 të tjerë u shpallën në kërkim pas një operacioni të gjerë lidhur me skemat mashtruese të firmave piramidale online, ku viktima janë bërë dhjetëra qytetarë, kryesisht në qarkun Fier.
Kreu i policisë vendore Fier, Skënder Litaj në një deklaratë për mediat bëri me dije se gjatë operacionit u ushtruan 80 kontrolle personash, banesash dhe subjektesh të lidhura më këto skema mashtruese dhe u kapën dhe u vunë në pranga 3 shtetas nga Lushnja, 1 nga Tirana, 2 nga Divjaka si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas të tjerë.
“Ky operacion është rezultat i një hetimi disa mujor i mbështetur mbi informacione të verifikuara dhe punë të specializuar hetimore, që synonte goditjen e një skeme të dyshuar mashtruese piramidale, e cila funksiononte online përmes formave moderne të mashtrimit financiar dhe përdorimit të kriptomonedhave. Operacioni u shtri në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh dhe u ushtruan gjithsej 83 kontrolle persoansh dhe banesash.
Hetimi ka dokumentuar aktivitetin e një rrjeti individësh që vepronin si agjentë kryesorë, duke promovuar platforma të rreme investimi nëpërmjet të cilave qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt. Këta individë, të pozicionuar në nivelet e para të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram. Aty ata udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre.
Përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ishte rastësor – përkundrazi, ato u zgjodhën pikërisht për vështirësinë që ofrojnë në gjurmim dhe për perceptimin e gabuar që kanë tek shumë qytetarë si mjete “moderne” dhe të sigurta për investim.
Falë përdorimit të teknologjive të avancuara të analizës së zinxhirit të bllokut (blockchain) dhe metodave speciale hetimore, u bë e mundur identifikimi i disa prej aktorëve kyç që operonin në terren, të cilët kanë shërbyer si hallka lidhëse mes qytetarëve dhe organizatorëve të skemës. Organizatorët e vërtetë të kësaj skeme vijojnë të jenë objekt hetimi, dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Fier, po ndjek të gjitha gjurmët për të zbardhur tërësisht strukturën e këtij rrjeti dhe për të vendosur para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës.
Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje e fortë për ndërgjegjësimin e qytetarëve: mos besoni në “investime të sigurta” që premtojnë fitim të menjëhershëm. Mos lejoni që emocionet, dëshira për përfitim të shpejtë apo presioni nga persona të njohur t’ju shtyjë të bëheni pjesë e strukturave të tilla. Ato nuk janë mundësi investimi – janë mashtrime të strukturuara, të sofistikuara dhe të rrezikshme, ku në fund gjithmonë humbin më të pambrojturit.
Policia e Shtetit do të vazhdojë punën me përkushtim për të goditur çdo formë të krimit kibernetik dhe ekonomik, dhe njëkohësisht fton qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të denoncojnë çdo rast të dyshuar përmes strukturave tona ose platformave zyrtare të komunikimit. Faleminderit dhe tani Drejtori i qarkut do bëjë me dije rezultate e operacionit në qarkun Fier.
Siç bëra me dije në fillim të konferencës, për finalizimin e operacionit te koduar “XUEX”, u angazhuan të gjitha strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku në zbatim të vendimit të Gjykatës Fier, u ushtruan 83 kontrolle personash, banesash dhe subjektesh lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online.
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: A. Ç., 38 vjeç, E. T., 21 vjeç, F. M., 23 vjeç, të tre banues në Lushnjë, M. K. 28 vjeç, banues në Tiranë, B. T., 38 vjeçe dhe B.N., 38 vjeçe, të dyja banuese në Divjakë, të dyshuar për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit E. Sh., 35 vjeç dhe A. Sh. 29 vjeçe, të dy banues në Divjakë, të dyshuar për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas kanë vepruar si agjentë kyç të kësaj skeme mashtruese.
Skema funksiononte mbi modelin klasik piramidal: qytetarët që investonin, udhëzoheshin të sillnin të paktën 5 persona të tjerë në sistem, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona të sillje dhe sa me e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura të premtuara. Por në të vërtetë, këto nuk ishin investime reale, por një mekanizëm i mirorganizuar për të përfituar fonde përmes mashtrimit, ku vetëm nivelet më të larta fitonin, ndërsa shumica sidomos pjesa fundore e piramidës humbnin kursimet e tyre”, bëri me dije kreu i policisë së shtetit Skënder Litaj.
Personat e arrestuar
Arbër Çela
Emanuel Taullau
Flavio Mukaj
Marius Kodra
Brunilda Todi
Brunilda Ndini