Shqiptarë nga Amerika dhe vende të ndryshme të Evropës janë bërë bashkë sot në Hagë për një protestë të thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
Protesta pritet të nisë në orën 14:00 dhe nuk do të mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, sepse kjo nuk është lejuar për shkaqe të sigurisë, por vetëm në afërsi të saj, shkruan KosovaPress.
Protestuesit që janë ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë nga vende të ndryshme të botës tashmë kanë përgatitur pankartat përmes së cilave do të përcjellin mesazhet e tyre.
Të gjitha mesazhet do të jenë në gjuhën angleze pasi që ato janë të dedikuara për Gjykatën Speciale që është më staf tërësisht ndërkombëtar, dhe Bashkimin Evropian si financues i këtij institucioni. Disa autobusë janë nisur edhe nga Kosova.
Kjo protestë, përmes së cilës kërkohet drejtësi, vjen vetëm një ditë para se të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.
Në sallën e gjyqit nesër, më 15 shtator në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi pritet të paraqitet James Rubin, amerikani i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë ndihmës sekretar i Shtetit. Pas tij do të ketë edhe dëshmitarë të tjerë që janë figura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Fillimisht do të dëgjohen dëshmitarët e mbrojtjes së Hashim Thaçit, e më pas të Jakup Krasniqit.