Gjen hajdutët në shtëpi dhe i hedh nga ballkoni, 38-vjeçari: E bëra për të mbrojtur vajzat e mia

“Kam menduar vetëm të mbroj vajzat e mia”. Kështu e rrëfen Liviu Apetrei, një shofer kamioni 38-vjeçar me origjinë rumune, banues në një lagje të Oderzos në provincën e Trevisos, atë që ndodhi të enjten më 11 shtator.

Rreth orës 22:00, burri ka kapur në befasi tre grabitës në ballkonin e shtëpisë së tij në rrugën “San Magno 10” dhe ka reaguar menjëherë për të mbrojtur gruan dhe tre vajzat e vogla. Ai nisi t’i godiste hajdutët dhe njëri prej tyre ra nga ballkoni. “Nuk mendova dy herë, e bëra për të mbrojtur familjen time,” deklaroi Apetrei për Il Gazzettino.

Si ndodhi ngjarja
Ngjarja nisi kur në shtëpi u dëgjuan zhurma të dyshimta që vinin nga ballkoni. “Ishte rreth orës 22:00, rrëfen Apetrei – kur dëgjuam disa zhurma. Fillimisht mendova se ishte fqinji i katit të sipërm, por zhurmat vazhdonin.” Kur doli për të parë çfarë po ndodhte, u përball me tre persona të panjohur. Pa hezituar, sulmoi njërin prej tyre, e goditi dhe e rrëzoi nga ballkoni, një lartësi rreth tre metra.

“Mendova vetëm se ishin hajdutë që donin të hynin në shtëpinë tonë, ku ishin gruaja ime dhe tri vajzat tona të vogla, 10, 8 dhe 2 vjeçe,” shtoi ai. Reagimi i tij i shpejtë befasoi dy hajdutët e tjerë, të cilët u përpoqën të iknin, por jo para se të goditeshin edhe ata nga Apetrei.

“U hodha mbi ta dhe i godita me sa fuqi kisha, duke i detyruar të largoheshin menjëherë: edhe ata u hodhën nga ballkoni. Mendoj se ai që hodha i pari mund të jetë dëmtuar. Por çfarë tjetër duhet të bëja?”, përfundon ai.

Arratisja e hajdutëve
Të tre hajdutët arritën të largohen, me shumë mundësi me një makinë ngjyrë të errët, që një fqinj e përshkroi si “ndoshta një Golf ose një Ford Fiesta”, por pa targa të identifikuara.

Karabinierët, të thirrur menjëherë nga Apetrei, patrulluan zonën por nuk arritën të gjenin gjurmë të autorëve. Një ngjarje e ngjashme ishte raportuar edhe disa orë më parë në Motta di Livenza, në rrugën “Albano Capoluogo”, ku tre persona të panjohur ishin parë në një oborr. Kjo ngre dyshime se mund të bëhet fjalë për të njëjtën bandë. Hetimet janë në vijim për të sqaruar lidhjet e mundshme mes ngjarjeve.

Të Fundit