Në të gjithë vendin po vijon puna për prishjen e ndërtimeve pa leje që zënë hapësira publike të përbashkëta.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga operacioni në terren për prishjen e një restoranti në Tiranë, pronarët e të cilit nuk i ishin përgjigjur thirrjes së qeverisë për largimin e shtesave dhe strukturave mbi trotuare, brenda muajit korrik.
“S’ka pushim”, u shpreh Rama.
Autoritetet shtetërore kanë bërë me dije se sipërfaqja e çliruar e hapësirave publike, sidomos në kryeqytet, është duke u zgjeruar çdo ditë, ndërkohë që po punohet paralelisht për fazën tjetër, me projekte të shumta për sistemimin dhe përmirësimin e infrastrukturës.
Në fillim të muajit korrik, qeveria nisi një aksion të gjerë për lirimin e hapësirave publike në qytetet e mëdha, ndërsa bizneseve iu dha dy javë kohë për të hequr trarët dhe tendat që zënë hapësirat publike, të cilat përdoren për parkim ose lokale.
Po ashtu, qeveria paralajmëroi ashpërsim të kuadrit ligjor për të gjithë ata që ndërtojnë pa leje, si dhe për inspektorët që do të tolerojnë këto ndërtime. Procesi i lirimit të hapësirave vjen në kuadër të programit dhe vizionit “Rilindja Urbane 2.0”.
Në shërbim të qytetarëve është vënë edhe portali “Hapësiraime.gov.al”, ku deri më sot janë raportuar 10 351 raste, prej të cilave 7 137 janë zgjidhur, ndërsa 3 214 janë në proces.