Berisha homazhe për Azem Hajdarin: Pse sot është një ditë betimi për çdo demokrat

Këtë të premte u përkujtua 27-vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, një prej figurave më të rëndësishme të lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90 dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike.

Në nderim të kësaj dite, familjarë të Azem Hajdarit, fëmijët e tij, eksponentë të Partisë Demokratike të kryesuar nga Sali Berisha, si dhe deputetë të tjerë të opozitës, zhvilluan homazhe pranë monumentit të tij në qendër të Tiranës ku u vendosën kurora me lule dhe u mbajt një moment heshtjeje në kujtim të figurës së tij.

Pas ceremonisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dha një deklaratë për mediat, duke theksuar se Azem Hajdari “ra për të mbetur i pavdekshëm”.

“Azem Hajdari dhe truproja e tij, Besim Çera, janë më të gjallë se kurrë në idealet e shqiptarëve që aspirojnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Idealet e Azemit sot janë më kushtruese, më ftuese se kurrë,” u shpreh Berisha.

Në deklaratën e tij, Berisha tha se pluralizmi në Shqipëri është i shtypur dhe i dhunuar.

“Që nga viti 1990 e deri më sot, Shqipëria është zhytur në një diktaturë të re. Vota e lirë nuk ekziston, fjala e lirë është në sitën e xhelatëve të pushtetit, ashtu si në diktaturën e kaluar, ku firmosej varja e poetëve,” deklaroi Berisha.

Duke iu referuar trashëgimisë politike të Azem Hajdarit, Berisha e cilësoi këtë ditë si “një ditë betimi” për çdo demokrat dhe mbështetës të opozitës për të luftuar për rikthimin e vlerave themelore demokratike.

“Sot është një ditë betimi për çdo demokrat, për çdo deputet e drejtues të Partisë Demokratike. Duhet të ngrihemi për të shpëtuar Shqipërinë, për të rikthyer pluralizmin, votën e lirë dhe fjalën e lirë. Jam i bindur se demokratët, pavarësisht vështirësive, do të përballen me kundërshtarët e lirisë dhe do ta rikthejnë atë,” përfundoi Berisha.

Kujtojmë që Azem Hajdari u vra më 12 shtator 1998 në një atentat pranë selisë së Partisë Demokratike.

Ai mbahet mend si një nga figurat më të zëshme të tranzicionit politik dhe simbol i rezistencës kundër diktaturës.

Të Fundit