Sherr për hashashin! Adoleshentët sulmojnë me thika tre të rinj në Tiranë, 5 të mitur të arrestuar

Policia e Tiranës ka arrestuar 5 të mitur, të moshave nga 15 deri në 17 vjeç, pasi dyshohet se janë përfshirë në një ngjarje të rëndë me armë të ftohta, që ndodhi mbrëmjen e 10 shtatorit 2025 në rrugën “Ali Begeja”.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 19:50, të miturit goditën me thika tre të rinj, Ahmed Agolli (22 vjeç), Hendri Rasa (19 vjeç) dhe Klaus Mihaj (19 vjeç) të cilët përfunduan në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje u sekuestruan si prova materiale 2 armë të ftohta të dyshuara të përdorura gjatë sulmit.

Sipas burimeve nga hetimi, konflikti ka nisur një natë më parë, kur të miturit ishin parë duke konsumuar hashash pranë një lokali, ndërsa tre të rinjtë u kishin kërkuar të largoheshin. Kjo përplasje verbale është kthyer në përplasje fizike të nesërmen, kur rreth 15 adoleshentë, disa të maskuar, janë rikthyer në lokal për të sulmuar të rinjtë.

Falë pamjeve të kamerave të sigurisë janë identifikuar 5 autorët kryesorë, të cilët janë ndaluar, ndërsa për pjesëtarët e tjerë të grupit po vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rolin e secilit të përfshirë.

Të Fundit