Një i arrestuar për 8 objekte dhe një pishinë pa leje në Tropojë, detajet e çështjes

Pas njoftimit të Policisë së Kukësit për arrestimin e një personi në Tropojë, Prokuroria e Kukësit ka reaguar zyrtarisht duke dhënë detaje mbi çështjen.

Sipas njoftimit, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, u arrestua shtetasi R. Gj., i cili është nën hetim për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a, paragrafi 4, i Kodit Penal.

Hetimi është regjistruar në kuadër të procedimit penal nr. 509, datë 08.09.2025, pas referimeve të Policisë së Shtetit. Sipas të dhënave, në lagjen “Gjomakaj”, fshati Llugjaj, Njësia Administrative Llugaj, Bashkia Tropojë, janë konstatuar tetë objekte dhe një pishinë në ndërtim e sipër, të cilat ndodheshin brenda rrethimit të banesës së shtetasit R.Gj.

Objektet janë të përmasave 10×6 metra, të ngritura mbi kolona betoni dhe të rrethuara me mur tulle me ngjyrë të kuqe dhe soletë sipër. Përreth tyre janë gjetur materiale ndërtimi si tulla, zhavorr dhe pajisje të tjera të ndërtimit.

Prokuroria bën të ditur se veprimet hetimore për këtë çështje janë në vijim dhe se do të merren masa të tjera sipas zhvillimeve të mëtejshme të hetimit.

Të Fundit