Numri i nxënësve në shkolla ka ardhur në rënie, mesatarisht 10 mijë nxënës çdo vit. Të dhënat e INSTAT, tregojnë se në vitin 2015 ishin në arsimin parauniversitar 362 mijë nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2024 – 2025, ishin 250 mijë. 112 mijë nxënës më pak në arsimin parauniversitar, brenda një dekade, një tkurrje me 31%.
Rënia është akoma dhe më e thellë, kur flasim për arsimin 9-vjeçar, me 125 mijë fëmijë më pak në bankat e shkollës në vitet 2014-2024. Vetëm në pesë vitet e fundit, arsimi shqiptar ka humbur mbi 61 mijë nxënës.
Arsyet kryesore të këtyre shifrave lidhen me rënien e lindshmërisë dhe emigracionin masiv. Familjet e reja nuk po riprodhojnë më veten. Situata është më e dukshme në zonat rurale. Në qytetin e Korçës vetëm këtë vit të ri shkollor janë mbyllur 9 klasa kolektive.
Pasojë e kësaj krize është edhe mbyllja e shkollave: nga viti 2012 deri në 2022, janë shuar 295 institucione 9-vjeçare, duke përbërë mbi 22% të totalit.
Edhe numri i nxënësve që janë bërë pjesë e shkollës për herë të parë ka ardhur me rënie. Para një dekade hynin rreth 35–38 mijë nxënës në klasë të parë. Këtë vit të ri shkollor, ishin 26.500 nxënës.