Mirela Kumbaro: Gjirokastritët duan të mësojnë spanjisht, si brenda 4 viteve arritëm nga zero në mijëra vizitorë nga Spanja

Mirela Kumbaro, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit e Republikës së Shqipërisë foli sot në konferencën “Diplo2025” që ka mbledhur ambasadorët shqiptarë nëpër botë.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro shpjegoi se si turizmi ka pësuar rritje përgjatë katër viteve të fundit, ndërsa i konsideroi vizitorët e huaj si “ambasadorë bio”.

“Gushti i këtij viti krahasuar me vitin e kaluar mirëpriti 10% më shumë ose 200 mijë turistë nga vende të ndryshme të botës. Kemi pasur rritje befasuese por jo vetëkënaqësuese dhe na ka rezultuar që ata, vizitorët, kanë qenë ambasadorë shumë të mirë. Sikurse kemi ushqimin bio edhe ata janë ambasadorë të shkëlqyer. Janë të rinj në eksperiencë por janë të besueshëm sepse kanë paguar për përvojën e tyre. Sot turizmi ka ambasadorë ata që kanë provuar ushqimin, kanë shijuar natyrën. Qoftë sektori privat dhe qoftë ai publik ku në turizëm janë në simbiozë të shkëlqyer.”, tha Kumbaro.

Duke iu drejtuar ambasadorëve, Kumbaro mori rastin e Spanjës ku deri para katër-pesë vitesh nuk kishte pothuajse fare turistë në Shqipëri, ndërsa gjatë këtij viti dhjetëra-mijëra e kanë vizituar vendin tonë.

“Ju jeni atje cdo ditë në vendet tuaja. Që t’ju jap një ide si kanë ndryshuar tregjet turistike, më lejoni të ndaj disa shifra të kuptoni si janë rritur tregjet turistike prej nga vijnë turistët në Shqipëri. Spanja ka qenë një vend që deri para 5 vitesh kishte turistë, nuk e di a bëheshin 100 apo jo. 2024-a kishte 110 mijë vizitorë në Spanjë. Në Gjirokastër për shembull, mos qeshni, bizneset private po interesohen të mësojnë spanjisht sepse shikojnë një rritje të kësaj lloj klientele sepse është rezultat i ambasafdorëve bio. Çfarë ndodh me Spanjën? Sepse nga një treg me zero vizitorë brenda katër viteve kthehet me dhjetëra mijëra të tillë.

Nuk e di nëse ishin vizitorët e parë spanjollë që nisën të flasin mirë për Shqipërinë, apo ishte Melia, grupi i madh spanjoll që erdhi dhe u interesua para 8 viteve. Ma tha drejtori si i tregoi punonjësit të vet, ‘po shkoj në Shqipëri’, dhe ai nuk i dinte as emrin.”, tha Kumbaro.

Ajo tregoi se suksesi në Spanjë arriti të përhapej edhe në Argjentinë vetëm përmes “ambasadorëve bio”.

“Ishte surprizë për ne kur në panairin e Spanjës, duke shëtitur mbërrita në sallën e Argjentinës ku një ekran i madh sa ky promovonte udhëtimet në Shqipëri. Ne nuk kishim investuar. Përmes Spanjës funksionoi.”, tha ajo.

Të Fundit