Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Santo Domingo, Republika Domenikane, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në orët e para të mëngjesit të sotëm, finalizuan procedurat për ekstradimin nga Punta Cana/Republika Domenikane drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar Soni Pepa, lindur në Lushnjë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
“Si rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij nëpërmjet Interpol Tiranës me Interpol Santo Domingo, u bë i mundur arrestimi në Punta Cana/Republika Domenikane, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë të këtij shtetasi. Shtetasi S. P., në përfundim të procedurave, iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, bëri me dije policia.