Një 17-vjeçar me prejardhje nga Kosova është arrestuar nga policia gjermane pasi dyshohet se plagosi me thikë një mësuese në një shkollë profesionale në Essen.
Policia lokale konfirmoi për Agjencinë Gjermane të Lajmeve se i dyshuari u ndalua pranë stacionit kryesor të trenit. Gjatë arrestimit, oficerët përdorën armën e zjarrit duke e plagosur të riun, i cili aktualisht po merr trajtim mjekësor.
Sipas hetuesve, ai e kishte goditur viktimën, një mësuese 45-vjeçare, “disa herë” me thikë. Ajo është dërguar në spital dhe po trajtohet në gjendje të rëndë për jetën. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
Ministrja e Arsimit e landit Nordrhein-Westfalen, Dorothee Feller, shprehu pikëllim për sulmin.
“Mendimet e mia janë me kolegen e plagosur, familjen e saj, nxënësit dhe të gjithë stafin,” deklaroi ajo.
Ministrja tha gjithashtu se shkolla po mbështetet nga inspektorati shkollor dhe psikologu i institucionit, në mënyrë që nxënësit dhe mësuesit të mos ndihen të vetëm në këtë situatë.