Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka dënuar rastin e rëndë të dhunës ndaj gazetares së emisionit “Stop” në Tv Klan, Domenika Bajraktari. Në një reagim në rrjetet sociale, Kadastra thotë se distancohet plotësisht nga çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
ASHK-ja thotë se personi që goditi gazetaren nuk është punonjës i saj.
“Ndërkohë jemi duke rishikuar të gjitha pamjet filmike të administruara nga kamerat e sigurisë dhe, nëse konstatohet shkelje nga rojet private, do të ndërmerren menjëherë hapat ligjorë dhe kontraktualë për të mos lejuar përsëritjen e rasteve të tilla”, thuhet në reagimin e agjencisë
ASHK shpreh besimin tek institucionet ligjzbatuese për hetime dhe vendosjen e drejtësisë sipas ligjit.
“Ne besojmë se puna e gazetarëve është një element i rëndësishëm për informimin e qytetarëve dhe ruajtjen e transparencës institucionale. Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron publikun dhe median se do të vazhdojë të garantojë akses, respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë në çdo proces informimi”, thuhet në reagimin e tyre.
Incidenti në fjalë ndodhi kur gazetarja Bajraktari dhe grupi i saj i xhirimit kanë qenë në drejtorinë e Përgjithshme të ASHK-së për të ndjekur denoncimin e një qytetari. Por ajo u përball me agresion fizik dhe pengesa të shumta. Agresori është identifikuar dhe është shoqëruar në polici