Dy vëllezër janë arrestuar nga Policia e Durrësit pasi kanë rrahur njëri-tjetrin pas një sherri në familje dhe njëri prej tyre nuk ka ‘kursyer’ as nënën e tij.
Policia vendore njoftoi sot (27 gusht) se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit arrestuan në flagrancë D. Y., 41 vjeç dhe B. Y., 46 vjeç, të dy banues në Durrës.
“Ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit, për motive të dobëta. Gjithashtu, B. Y. ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, si dhe ka dëmtuar me sende të forta automjetin e vëllait të tij”, bëri me dije policia.
Hetimet për rastin i kanë kaluar Prokurorisë, për të zbardhur shkaqet e vërteta të konfliktit dhe dinamikën e ngjarjes që mund të përfundonte në krim të rëndë në familje.