Policia e Himarës ka arrestuar pronarin e një hoteli ën Borsh pasi ka kërcënuar me armë punëtorët e tij pas një konflikti verbal.
Në kuadër të operacionit të koduar “The gun” u bë e mundur arrestimi në Flagrancë i shtetasit Emanuel Shkëmbi.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë konfliktit verbal me punëtorët në hotelin e tij në Borsh, Himarë, shtetaset A.O dhe R.O nënë dhe bijë, i ka kanosur me një armë zjarri tip pistoletë.
Gjithashtu u procedua ne gjendje të lirë shtetasi A.Sh, babai i autorit pasi ka goditur shtetasen A.K duke ushtruar dhunë fizike tek ajo.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kanoste me armë zjarri dy punonjëset e hotelit të tij në Borsh, organizuan menjëherë punën për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi: E. Sh., 26 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”.
Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri tip pistoletë punonjëset e hotelit të tij, shtetaset A. O., 21 vjeçe dhe R. O., 53 vjeçe, nënë e bijë.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: A. Sh., 56 vjeç (babai i autorit), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases A. O.; P. B., 76 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se pas konfliktit ka fshehur armën e zjarrit tip pistoletë, të përdorur nga shtetasi E. Sh.
Arma u gjet dhe u sekuestrua së bashku me krehrin dhe 8 fishekët, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në njërën prej dhomave të hotelit”, bëri me dije policia.