Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një 21-vjeçar u plagos rëndë nga tre shtetas, pas një konflikti që kishte nisur në rrjetet sociale.
Sipas raportimeve, autorët i kanë shkuar 21-vjeçarit në shtëpi, e kanë goditur me shishe në kokë dhe gjatë sulmit i është prerë plotësisht njëri vesh.
Policia ka bërë të ditur se janë arrestuar tre shtetasit e përfshirë në ngjarje, Florjan Faslia, Mentor Daja dhe Samuel Tahiraj. Viktima ndodhet aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Mihal Popi”, kishte ndodhur një konflikt gjatë të cilit ishte dëmtuar me sende të forta një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i veprimeve të shpejta u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit: F. F., 18 vjeç, M. D., 21 vjeç dhe S. T., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Këta shtetas, në rrugën “Mihal Popi” pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin M. B., 21 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Aktualisht, 21-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet u referuan Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.