Aktori Naun Shundi po përballet me një sëmundje të rëndë, ndërsa dy ministri Ministria e Shëndetësisë dhe e Kulturës kanë reaguar me anë të një postimi në rrjetin social facebook, duke theksuar se do t’i mbulojnë të gjitha shpenzimet e kurimit të aktorit.
Njoftimi i plotë:
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sqaron opinionin publik lidhur me gjendjen shëndetësore të aktorit të njohur Naun Shundi.
Pas njoftimit të marrë më datë 7 gusht 2025 nga MEKI, Ministria e Shëndetësisë është vënë menjëherë në kontakt me familjarët e aktorit dhe ka ofruar mbështetjen e saj të plotë. Fillimisht u garantua gatishmëria për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të ndërhyrjes mjekësore të nevojshme.
Gjatë pritjes së rezultatit të biopsisë, u konstatua nevoja për mbështetje të mëtejshme në vijimin e trajtimit. Edhe në këtë fazë, Ministria rikonfirmoi gatishmërinë e saj për të ofruar ndihmë të plotë.
Aktualisht, aktori pritet të rikthehet në Shqipëri, ku do të nisë trajtimin pranë Qendrës së Specializuar në QSUT”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Artisti është dërguar për trajtim të specializuar në një spital në Francë, por kostot e larta financiare kanë detyruar familjarët që pak ditë më parë të kërkojnë ndihmë për kurimin e tij.