Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vazhduar sulmet personale ndaj homologut australian, Anthony Albanese, pas vendimit të qeverisë australiane për të njohur shtetin palestinez, duke deklaruar se karriera politike e Albaneses është njollosur përgjithmonë.
Raportet diplomatike mes Australisë dhe Izraelit u përkeqësuan që kur qeveria e Albaneses njoftoi këtë vendim javën e kaluar. Vendime të ngjashme janë paralajmëruar edhe nga Franca, Britania dhe Kanadaja.
Në një intervistë për Sky News Australia, Netanyahu tha: “Mendoj se karriera e tij është njollosur përgjithmonë nga dobësia që tregoi përballë këtyre përbindëshave terroristë të Hamasit”, duke iu referuar grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE. Më herët, Netanyahu e kishte cilësuar Albanesen “politikan të dobët që tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë e Australisë”.
Ndërkaq, Albanese minimizoi këto kritika, duke deklaruar se “nuk i marr këto gjëra personale” dhe se i trajton udhëheqësit e shteteve të tjera me respekt. Ai gjithashtu ka theksuar se kryeministri izraelit “po mbyll sytë” përballë situatës humanitare në Gazë, ku Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për përhapjen e urisë.
Më 20 gusht, drejtori i Këshillit Hebre të Australisë dërgoi letra të ndara dy udhëheqësve, duke bërë thirrje për zgjidhje diplomatike dhe gjuhë të matur në komunikimet publike.
Tensionet diplomatike u rritën edhe pas vendimeve të Izraelit për të revokuar vizat për diplomatët australianë në Autoritetin Palestinez, pas anulimit të vizës për një ligjvënës izraelit nga Australia.