Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e së dielës në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku një konflikt për parkimin e automjetit degjeneroi në dhunë fizike. Dy vëllezër, Romeo dhe Fabion Laze, pronarë të një lavazhi, u vunë në pranga pasi akuzohen për plagosjen e rëndë të një nëne dhe të birit të saj.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 17:45, ku pas një sherri në të cilin u përfshinë të paktën 6 persona, nënë e bir, N. A. dhe E. A., u sulmuan me grushte, shkopinj dhe sende të forta. Të dy u transportuan me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, ku morën ndihmën e parë mjekësore. Ata pësuan fraktura dhe dëmtime të shumta në kokë e trup, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia shoqëroi fillimisht katër persona, ndërsa pas hetimeve arrestoi në flagrancë Romeo Lazen, 45 vjeç, dhe Fabion Lazen, 39 vjeç, për akuzën “plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim”.
Hetimet zbuluan se të arrestuarit janë persona me precedentë të shumtë penalë.
Policia dhe Prokuroria e Sarandës po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, që ka tronditur qytetin bregdetar.