Pak orë pas ndalimit në Pikën Kufitare të Qafë-Thanës, teksa po largohej nga Shqipëria me makinën e mbushur me thika, radio marrëse, pistoletë me gaz dhe sëpatë, turisti polak është lënë për hetim në gjendje të lirë nga Policia e Pogradecit, ndërsa hetimet do i ndjekë Prokuroria vendore.
Shërbimet e Policisë, njoftuan se në dalje të vendit, gjatë kontrollit në automjetin e polakut R. R., 39 vjeç, kanë gjetur 2 thika, 4 radio marrëse, 1 pistoletë me gaz dhe 1 sëpatë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
“Në vijim të veprimeve për rastin, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 39-vjeçarin, për veprat penale “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, bëri me dije policia vendore.
Kapja e turistit polak u bë ditën e djeshme, por pas vlerësimit të rastit, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë, është vendosur ndjekja në gjendje të lirë. Organi i akuzës do bëjë zbardhjen e plotë të qëllimeve pse i dyshuari mbante sende të paligjshme në mjetin e tij.