Shkolla nis në 8 shtator! Arsimi bazë dhe ai i mesëm do të vijojë deri në 12 qershor 2026

Viti i ri shkollor 2025–2026 për arsimin bazë dhe të mesëm në Shqipëri do të nisë zyrtarisht më datë 8 shtator 2025 dhe do të përmbyllet më 12 qershor 2026, duke ndjekur një kalendar të strukturuar që synon mbarëvajtjen e procesit mësimor në të gjitha nivelet.

Për maturantët, mësimi do të përfundojë më herët, më 25 maj 2026, për t’u lënë vend përgatitjeve për provimet e Maturës Shtetërore, të cilat janë planifikuar të zhvillohen në periudhën 1deri në 26 qershor.

Po gjatë muajit qershor, konkretisht nga 15 deri më 26 qershor 2026, do të zhvillohen edhe provimet përfundimtare të klasave të 9-ta, që shënojnë përfundimin e arsimit të detyruar.

Ndërkohë, regjistrimet për nxënësit e klasave të para dhe të dhjeta do të vijojnë deri më 31 gusht 2025, duke i dhënë kohë prindërve dhe institucioneve të përgatisin fillimin e vitit të ri akademik. Po ashtu edhe pajisja me libra falas do të bëhet para nisjes së vitit shkollor, ku secili institucion do të afishojë listën e librave dhe do të njoftojë datat dhe vendin e shpërndarjes.

Këto afate janë përcaktuar në funksion të një kalendari të unifikuar kombëtar dhe janë bërë publike nga kryeministri Edi Rama.

Sipas kreut të qeverisë, ky vit shkollor pritet të zhvillohet në një klimë të re ndryshimesh pozitive, të nxitura nga prioriteti i vendosur nga qeveria për modernizimin e arsimit, me theks të veçantë tek teknologjia dhe cilësia e mësimdhënies.

Të Fundit