Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, ka folur këtë të hënë para SPAK, pas daljes së tij për masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Berisha në fjalën e tij akuzoi Kryeministrin Edi Rama, që sipas tij ka bërë dy sulme të egra ndaj drejtësisë.
Ai tha se sipas tij ka një qasje me dy standarde në raport me komunikimin publik, se kur Rama sulmoi gjyqtarin dhe prokurorin, sipas Berishës nuk foli asnjë, kurse kur ai flet për Dumanin deklaratat bëhen të gjata.
“Rama sulmoi me egërsinë më të madhe një prokurore me mbiemrin Gjeli, e cila kishte zbatuar pikë për pikë atë që kërkohej në raportin e Policisë së Shkodrës. Dhe pas prokurores Gjeli, që nuk la turfullim pa bërë kundër saj, iu vërsul një gjyqtari tjetër për fajin e vetëm se ky gjykatës kishte zbatuar pikë për pikë vendimin e qeverisë. Ky gjykatës, në përputhje me vendimin që i njihte shkelësit të ligjit të drejtën e parablerjes me firmë të Ramës, kishte vendosur masën e sigurisë. I vërsulet gjykatës me fjalët e një ordineri, jo i pacipë. Dy sulme të egra, a dëgjuat një fjalë të vetme nga dy institucionet kryesore të drejtësisë që duhet të merrnin në mbrojtje këta individë sepse kishin zbatuar ligjin? Asnjë fjalë, heshtja varri. Kur unë denoncoja lidhjet me krimin të Altin Troplinit, ata lëshonin kilometra deklarata në mbrojtje të Gjokës e Troplinit. KLGJ e Llagamit mbron Irena Gjokën me tre vepra penalë, e cila e ka vendin, një shkelëse ordinere ligji, ka mashtruar në vetting për pasurinë e saj. Si e ka justifikuar Irena me 5 mbiemra pasurinë.”-tha Berisha.