Trump i drejtohet Europës: Ju nuk më tregoni dot çfarë të bëj me Putinin

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Europa nuk i tregon se çfarë duhet të bëjë në lidhje me presidentin rus Vladimir Putin. Deklarata e tij, e raportuar nga agjencia Reuters, erdhi rreth dy orë përpara takimit të tij me Putinin në Anchorage të Alaskës.

Dy ditë përpara këtij samiti, Trump kishte zhvilluar një bisedë telefonike me liderët europianë për të diskutuar në lidhje me qëndrimet dhe pritshmëritë e tyre përpara takimit me liderin rus. Gjatë këtyre konsultimeve, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve europiane i kanë paraqitur Trump-it qëndrimet e tyre, të cilat ishin përmbledhur nga kancelari gjerman Merz.

Ata kërkonin që Ukraina të përfshihej në tryezën e negociatave, me synimin për një proces trilateral që do të përfshinte edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Sipas tyre, Kievi është i gatshëm të diskutojë mbi çështje territoriale, por vetëm nëse ndalet përparimi i mëtejshëm i frontit dhe pa asnjë lloj njohjeje të pushtimit rus. Po ashtu, u theksua se Ukraina duhet të ketë garanci të forta sigurie, përfshirë aftësinë për të ndërtuar forca të armatosura pa kufizime, në mënyrë që të ruajë sovranitetin e saj.

Liderët europianë gjithashtu nënvizuan se negociatat me Rusinë duhet të jenë pjesë e një strategjie të përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Në fund, ata theksuan rëndësinë e mbajtjes së presionit përmes sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa Bashkimi Europian është duke përgatitur paketën e 19-të të sanksioneve.

Të Fundit