Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në Livadhja, Sarandë, ku tre qen kanë ngordhur pasi kanë konsumuar një ushqim të helmuar, të përgatitur nga një 62-vjeçar.
Në njoftimin për mediat, policia sqaron rrethanat e ngjarjes, ku sipas saj, 62-vjeçari M. I., banues në Konispol, dyshohet se më datë 10 gusht ka hedhur ushqim të helmuar për dhelprat në malin Trillm në Vrinë, por për pasojë kanë ngordhur tre qen të cilët konsumuan ushqimin në momentin që kaluan në atë zonë.
Policia thotë se ka referuar në Prokurori rastin për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës me pasojë ngordhjen e saj”.
Njoftimi i policisë
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Livadhja referuan materiale në Prokurori për veprën penale ‘Keqtrajtimi i kafshës’ me pasojë ngordhjen e saj, për shtetasin M. I., 62 vjeç, banues në Konispol, pasi dyshohet se më datë 10.08.2025, në malin ‘Stillo’, Vrinë, Konispol, ka hedhur ushqim të helmuar për dhelprat, por si pasojë kanë ngordhur 3 qen të shtetasit B. D., që lëviznin në atë zonë”, thuhet në njoftim.