Përshtatën 2 apartamente për prostitucion, pranga 2 tutoreve kineze në Durrës

Policia ka goditur një rast të shfrytëzimit të prostitucionit në qytetin e Durrësit, ndërsa ka arrestuar dy persona dhe ka vënë nën hetim 7 të tjerë.

Në kuadër të operacionit të koduar Storm 5, në lagjen nr. 13, Durrës, u vunë në pranga shtetaset kineze D. Sh., 54 vjeçe dhe S. Y., 40 vjeçe.

Gjithashtu, u arrestua shtetasi S. M., 39 vjeç, banues në lagjen nr. 13, pasi kishte dhënë apartamentet me qira, pa kontrata, dhe i kishte përshtatur ato për shfrytëzim të prostitucionit.

Më tej, në kuadër të operacionit, u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, 2 shtetase kineze dhe 5 shtetas shqiptarë.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi, rezultoi se dy shtetaset kineze të arrestuara kishin marrë me qira, pa kontrata, 2 apartamente në lagjen nr. 13, të cilat i kishin përshtatur për shfrytëzim të prostitucionit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet, pasi dyshohet se ka shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, e cila dyshohet se e ka qendrën jashtë vendit, pasi rezultoi se telefonatat kryheshin nëpërmjet call center-it.

Të Fundit