Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas mbylljes së hetimeve nga SPAK, duke shprehur qëndrimin e tij lidhur me këtë proces. Në një postim në rrjetet e tij sociale ai thotë se përshëndet mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve, siç ai i quan.
“Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në Dhjetor 2019. Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 Maj me prokurorët e SPAK-ut.”-shkruan Meta.
Meta theksoi se gjatë takimeve me prokurorët janë ngritur kërkesa konkrete për hetime të mëtejshme:
“Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS.”
Ai vlerëson se mos-hetimi në këto dy drejtime është një “pasojë e një diktati politik” dhe shton se nga ana ligjore dhe profesionale ky është një proces i thjeshtë dhe i domosdoshëm.
“Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh.”-përfundon Meta.