Djali 10-vjeçar me pasaportë të skaduar nuk mund të hipte në avion, prindërit e lënë në aeroport dhe nisen për pushime

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në aeroportin e Barcelonës, ku një çift vendosi të linte vetëm djalin e tyre 10-vjeçar për të mos humbur fluturimin drejt vendit të origjinës.

Sipas mediave ndërkombëtare, historia u bë publike nga një punonjëse e kontrollit të trafikut ajror në një video në TikTok. Fëmija nuk u lejua të hipte në avion pasi pasaporta e tij spanjolle kishte skaduar dhe për të hyrë në vendin e destinacionit i nevojitej vizë.

“Pasi nuk e kishte, prindërit e lanë në terminal dhe thirrën një të afërm që të shkonte ta merrte”, shpjegoi ajo.

Personeli i aeroportit Josep Tarradellas Barcelona-El Prat e gjeti djalin vetëm dhe njoftoi menjëherë autoritetet. “Ai tregoi se prindërit e tij tashmë ishin në fluturim, duke u nisur për pushime”, tha punonjësja.

Piloti i avionit, sapo u informua për rastin, pyeti pasagjerët nëse ndonjë prej tyre kishte lënë një fëmijë në terminal. Askush nuk u përgjigj, por më pas u identifikua çifti: ata po udhëtonin me një fëmijë tjetër më të vogël.

Avioni, që kishte marrë tashmë fluturimin, u detyrua të kthehej në Barcelonë. Policia shoqëroi çiftin për të marrë djalin dhe për të dhënë shpjegime. Autoritetet spanjolle ende nuk kanë bërë të ditur nëse do të hapet një hetim apo do të ketë pasoja ligjore për prindërit.

Të Fundit