Shkrimtarja shqiptare Ledia Xhoga është përfshirë në listën e gjatë të pretendentëve për një ndër çmimet më prestigjioze të letërsisë botërore, Booker Prize 2025, me romanin e saj “Misinterpretation”.
Xhoga bëhet shkrimtarja e dytë shqiptare që arrin një nominim të tillë, pas Ismail Kadaresë, i cili është dhe fitues i çmimit prestigjoz në vitin 2005. Shkrimtari i ndjerë u nominua gjithashtu për këtë çmim dhe në vitet 2017 dhe 2024.
Ledia Xhoga ka lindur dhe është rritur në Tiranë, ndërsa aktualisht jeton dhe punon në Brooklyn, në New York. Romanin e saj të parë, “Misinterpretation”, ajo e publikoi në vitin 2024, dhe ai u përball menjëherë me një pritje të jashtëzakonshme kritike dhe letrare.
“Misinterpretation” u shpall fitues i Çmimit të Librit të Qytetit të Nju Jorkut për autore debutuese, si dhe ishte finalist për Çmimin për Novelën e Parë të Qendrës për Fiksion në SHBA. Po ashtu, u përzgjodh si libri më i mirë i vitit 2024 nga platforma Debutiful, e specializuar në autorë të rinj.
Fituesi i Booker Prize 2025 do të shpallet më 10 nëntor, dhe emri i Ledia Xhogës në këtë listë përfaqëson një sukses të rëndësishëm për letërsinë e shkruar në gjuhën shqipe dhe për zërat e rinj që po depërtojnë në skenën letrare globale.