Një 39-vjeçar i dënuar në Itali me 7 vjet, 7 muaj e 12 ditë burgim, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike, është kapur nga policia në Shijak.
Arrestimi me qëllim ekstradimin në Itali i shtetasit Fatjan Stafa u krye nga Forcat e Posaçme Operacionale, në fshatin Hardhisht, Shijak, në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 57”.
Sipas policisë, Fatjan Stafa, banues në fshatin Pjezë, Durrës, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Firences, me vendimin e datës 08.10.2024, e ka dënuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Interpol Tirana po vijon procedurat për ekstradimin e tij, në bashkëpunim me autoritetet italiane.