Në kuadër të planit për lirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar kësaj radhe lavazhet e makinave që operojnë brenda lagjeve në qytete.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u bëri thirrje të gjithë pronarëve të lavazheve të paligjshme që të largohen vetë nga trotuaret dhe hapësirat publike në mes të lagjeve, përpara se të ndërhyjnë institucionet përkatëse dhe të vendosen masa administrative.
“Asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve për të larë makinat nëpër trotuare, prandaj kush i ka, t’i heqë vetë që të mos paguajë edhe gjobën e krimit mjedisor”, shkroi kryeministri.
Ky paralajmërim vjen në vazhdën e një fushate më të gjerë të qeverisë për të liruar trotuaret dhe për të rikthyer hapësirat publike në funksion të qytetarëve, duke ndëshkuar shkelësit që i përdorin ato për qëllime biznesi.
Institucionet përgjegjëse pritet të intensifikojnë kontrollet në ditët në vijim për lavazhet që operojnë brenda lagjeve të qyteteve.