Dhunoi kamerierin në Vlorë për një shishe ujë, pezullohet nga detyra oficeri i policisë

Ish-shefi i qarkullimit në Vlorë, aktualisht oficer i policisë kufitare në Dibër, Ardian Isufi është pezulluar nga detyra, për shkak të përfshirjes së tij në një incident në një lokal në Vlorë, ku dhunoi me grusht një kamarier.

Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur ndaj tij procedurën disiplinore të rëndë për veprime që dëmtojnë figurën dhe imazhin e punonjësit të policisë dhe minojnë besimin e publikut ndaj institucionit.

“Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, Nënkomisar Ardian Isufi jashtë detyrës dhe në shoqërinë e një shtetasi tjetër, Leart Bino 57 vjeç, është konfliktuar fillimisht fizikisht me një 18-vjeçar, A. B. Më pas, konflikti është përshkallëzuar duke përfshirë edhe pronarin e një hoteli në zonë, V. B., 53 vjeç, si dhe shtetasin E. M”, sqaron policia.

Po sipas Policisë së Shtetit, nënkomisari ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ndërsa hetimet procedurale po vijojnë nga oficerët e Policisë Gjyqësore, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

“Pezullohet nga detyra një oficer policie i përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës

Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për:

-raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;

-kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.

Aktualisht, Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.

Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur të reagojë me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon besimin e qytetarëve. Ajo fton qytetarët të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm apo sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e saj, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe konform ligjit.

I riu ka treguar se gjithçka nisi pas një keqkuptimi rreth një shishe uji të tepërt të sjellë në tavolinë.

“Erdhën dy zotërinj dhe u ulën në tavolinë. Porosinë e mori dikush tjetër, unë vetëm e shpërndava. Porosia ishte një ujë e madhe, një e vogël dhe një makiato. Kur ua çova, njëri prej tyre më tha: ‘Vetëm një ujë sill, se ai tjetri është rrotë k…’. I thashë që s’ka problem, e heq ujin, por s’ka nevojë të shash, se ka ndodhur pa dashje”, tregon kamarieri.

Pas kësaj, sipas dëshmisë, dy burrat, rreth të 40-ave, e kanë ndjekur kamarierin deri në banak dhe e kanë sulmuar fizikisht.

“I thashë ‘të lutem mos më kap me dorë’. Ishte dhe menaxheri aty. Njëri më qëlloi me shpullë dhe dy herë me grusht, në fytyrë dhe qafë. Më hodhi syzet. Mirë që nuk mi theu. Sapo i kam mbushur 18 vjeç”, rrëfen i riu.

Ngjarja ka ndodhur mbremjen e djeshme (26 korrik) ne ambientet e nje hoteli ne zonen e Skeles.

Sipas pamjeve të siguruara, dy individët i janë afruar kamarierit për t’i kërkuar llogari, pasi ky i fundit kishte sjellë në tavolinë një shishe uji më tepër nga sa ishte porositur. Siç shihet edhe në video, Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit në Vlorë, është personi që e prek fillimisht fizikisht të riun, ndërsa më pas dhuna përshkallëzohet nga Leart Bino, një person me precedentë penalë, i cili e godet disa herë kamarierin.

Kamarieri, që po ushtronte detyrën e tij, është detyruar të largohet nga vendi i ngjarjes për të shmangur pasoja më të rënda, pasi sulmuesit po i afroheshin sërish.

Ngjarja ka shkaktuar panik dhe tronditje mes klientëve të pranishëm, përfshirë edhe turistë të huaj, të cilët janë larguar të tmerruar nga skena e dhunës së paprovokuar ndaj një punonjësi shërbimi”- njoftoi policia.

Të Fundit