Wilawan Emsawat, e njohur si Sika Golf ose “Miss Golf”, është një 35-vjeçare tajlandeze e akuzuar për shantazh, pastrim parash dhe marrje të paligjshme të pronës. Emri i saj është kthyer në viral ditët e fundit, pasi u zbulua aktiviteti i saj kriminal nga një prej murgjve të shantazhuar. Në vetëm tre vjet, ajo dyshohet se ka fituar mbi 10 milionë euro duke shantazhuar monakë të lartë budistë, me video dhe foto intime që realizonte gjatë marrëdhënieve seksuale me ta.
Si vepronte?
Sipas hetuesve, ajo fillimisht krijonte marrëdhënie intime me murgjit, i filmonte në fshehtësi dhe më pas u kërkonte para, duke i kërcënuar me publikimin e materialeve në internet. Për këtë arsye, autoritetet e konsiderojnë një person shumë të rrezikshëm dhe kanë vepruar shpejt për ta ndaluar.
E rritur në një familje të varfër në provincën Phichit, ajo ka tre fëmijë: një me një DJ, një me një akademik dhe një me një murg budist. Sipas mediave, ajo ka qenë edhe gruaja e një politikani lokal, i cili e braktisi pasi zbuloi “jetën e saj të dytë”. Për të mbuluar pasurinë e saj, ajo ka blerë shtëpi luksoze dhe makina të shtrenjta, që përdorte për t’u paraqitur në tempuj.
Hetimet nisën kur një murg i njohur, i cili dyshohet se kishte një fëmijë me të, u largua nga tempulli dhe zbuloi skandalin. Një tjetër murg u detyrua të paguante miliona baht pas një shtatzënie që më pas rezultoi e rreme. Hetimet zbuluan se në tre vitet e fundit, ajo kishte marrë rreth 385 milionë baht (rreth 10 milionë euro), shumica prej të cilave u shpenzuan në bixhoz online dhe blerje luksi.
Sika Golf përdorte makina të shtrenjta, përfshirë një Mercedes-Benz dhuratë nga një prej murgjve. Ajo kishte edhe një kartë krediti të furnizuar nga pagesat e murgjve të cilët i shantazhonte.
Hetimet zbuluan se murgjit kanë pasuri të mëdha, pasi përfitimet nga ceremoni private nuk taksohen, duke i lejuar ata të kenë llogari bankare me shuma të konsiderueshme. Deri tani, 12 murgj janë përjashtuar nga rregulli fetar, përfshirë pesë zyrtarë të lartë, dhe mbreti Maha Vajirelongkorn ka tërhequr dekoratat nga 81 murgj të tjerë.
Këshilltari ligjor i ushtrisë budiste ka kërkuar rishikimin e ligjeve për murgjit dhe tempujt, duke përfshirë rregullat për transparencën financiare.
Bureau-ja Qendrore e Hetimeve në Tajlandë ka krijuar një platformë në Facebook dhe një numër telefonik për denoncime anonime të rasteve të ngjashme me qëllim të luftës kundër korrupsionit dhe abuzimeve në klerin budist.