Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Siguria Ushqimore”, i cili u organizua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr.7.
Gjatë këtij operacioni u zbulua në Vorë një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas hidheshin sërish në treg.
Nga hetimet dyshohet se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore grumbullonte produkte të skaduara nga tregje në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, i falsifikonte datat e skadencës dhe më pas i shiste pa dokumentacion tatimor.
Policia sekuestroi 716 koli dhe dhjetëra kilogramë mallra ushqimore të përpunuara, me afat skadence në janar dhe shkurt 2025, të cilat kishin etiketa të falsifikuara për të rihedhur në treg.
Policia arrestoi në flagrancë administratorin e magazinës, 38-vjeçarin F.D. si dhe magazinierin A.D., 58 vjeç ndërsa për veprime të mëtejshme penale u proceduan ortaku S.T., 56 vjeç, dhe shoferi i magazinës A.D., 36 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale: “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.