Shtëpia e Bardhë konfirmoi zyrtarisht se Presidenti Donald Trump, po përjeton një ënjtje në pjesën e poshtme të këmbëve dhe mavijosje në dorën e djathtë, pasi një fotografi e publikuar së fundmi i nxirrte në pah kyçet e fryra dhe shenja make-up-i mbi dorën e mavijosur.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një deklarate për shtyp, lexoi një letër nga mjeku personal i presidentit, Komandanti i Marinës Sean Barbabella. Sipas tij, të dyja shqetësimet janë “të zakonshme për moshën dhe jo të rrezikshme për jetën”.
Sipas mjekut, ënjtja në këmbë vjen nga një gjendje e quajtur insuficiencë kronike venoze, e cila është e zakonshme tek personat mbi 70 vjeç dhe lidhet me qarkullimin e gjakut. Ndërsa mavijosja në dorë, sipas Barbabella-s, është rezultat i shtrëngimeve të shpeshta të duarve dhe përdorimit të aspirinës për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Sipas mjekut t ë Trump ultratingulli i këmbëve nuk tregoi prani të trombozës venoze të thellë apo probleme arteriale.
Gjithashtu dhe testet e tjera nuk zbuluan dështim të zemrës, probleme me veshkat apo sëmundje sistemike.
Mjekët e jashtëm konfirmuan diagnozën e bërë nga Shtëpia e Bardhë. Dr. Kwame Amankwah, shef i kirurgjisë vaskulare në Universitetin e Connecticut, deklaroi se gjendja mund të menaxhohet me çorape kompresive dhe mbajtjen e këmbëve lart, por nëse lihet pas dore, mund të çojë në ënjtje më të rënda ose ulçera.
Ndërkohë, Dr. Todd Berland nga NYU Langone Health theksoi se: “Kjo është një çështje që prek cilësinë e jetës, por jo jetëgjatësinë.”
Sipas një raporti të mëparshëm mjekësor më 11 prill në spitalin ushtarak Walter Reed, Trump kishte ritëm normal të zemrës dhe nuk paraqiste probleme madhore shëndetësore.