Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit dhe Policinë Bashkiake, ka ndërmarrë një operacion për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të kundërligjshme përreth stadiumit “Arena Kombëtare”.
Gjatë aksionit u konstatuan disa lokale që kishin zënë trotuare dhe vendkalime për këmbësorë me tavolina, karrige dhe çadra pa leje. Si rezultat, janë hequr dhe sekuestruar rreth 330 objekte, ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 7 administratorë lokalesh, të identifikuar si A. S., N. R., Xh. B., M. S., K. M., L. L. dhe B. K.
Gjatë ndërhyrjes, një 40-vjeçar me iniciale F. P., punonjës i një prej subjekteve, ka kundërshtuar punonjësit e IMT-së dhe është proceduar penalisht për kundërshtim të punonjësve të rendit publik.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet dhe verifikimet për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet do të vijojnë me intensitet edhe në ditët në vijim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.